Sfida të mëdha për bizneset gjatë këtij viti, DHTIK organizon takimin tradicional të fundvitit

Sfida të mëdha për bizneset gjatë këtij viti, DHTIK organizon takimin tradicional të fundvitit

Numër i madh i bizneseve, përfaqësues të odave dhe institucioneve kanë marrë pjesë në takimin tradicional të fundvitit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK). Në këtë takim janë përmendur sfidat me të cilat janë ballafaquar bizneset gjatë këtij viti dhe ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik.

Kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi, tha se ky takim nuk është vetëm traditë, por dëshmi se bizneset janë të bashkuara, raporton KosovaPress.

“Mungesa e institucioneve për shumë muaj ka bllokuar zgjidhjen e shumë çështjeve kyçe, si Ligji për Pronën Publike, i cili ka sjellë dëme për biznese, ekonominë dhe vendin tonë, por edhe pamundësonin  diskutimin për shumë e shumë ligje tjera të nevojshme për zhvillimin e vendit dhe bizneseve. Gjatë vitit kemi bashkëpunuar me komuna, institucioneve vendore e ndërkombëtare, për të zhvilluar ligje më të mira dhe një klimë më të favorshme për biznesin, kemi nënshkruar memorandume të reja bashkëpunimi duke krijuar ura të reja zhvillimi për të ardhmen, por puna jonë nuk mbaron këtu”, tha Krasniqi.

Teksa falënderoi bizneset për bashkëpunimin gjatë këtij viti, Krasniqi tha se “çmimi i mosveprimit është shumë më i madh se kostoja e një gabimi”.

“Sot ballafaqohemi me mungesë të punëtorëve, fuqisë punëtore dhe përgjigjja e vetme është rritja jonë si komunitet, forcimi i buxhetit tonë të përbashkët dhe rritja e kontributit. Sukseset nuk ndodhin rastësisht, në asnjë biznes dhe në asnjë shtet. Ato ndërtohen me punë të përditshme dhe me bashkëpunim. Ne si përfaqësues tuaj, jemi të përkushtuar, ligjet e mira janë ato që na mundësojnë të punojmë më shumë dhe më të lehtë, prandaj ju ftoj që vitin e ardhshëm të jemi edhe më të bashkuar në zhvillimin e infrastrukturës ligjore që i shërben biznesit”, tha Krasniqi. 

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti tha se ky vit u karakterizua me sfida e probleme të mëdha për bizneset.

“Një prej goditjeve më të rënda të ekonomisë ishte procesi i liberalizimit të tregut apo kalimi i 1300 bizneseve në këtë treg (energjik). Kemi reaguar jashtëzakonisht shumë, kemi marrë pjesë, kemi organizuar protesta edhe me shoqatat e bizneseve. Kemi vazhduar të japim argumente të mjaftueshme për shkeljet e shumta që kanë ndodhur në këtë proces. Shumë prej këtyre shkeljeve janë evidentuar edhe nga Bashkimi Evropian me deklaratat e tyre sa i përket kësaj çështjeje. Fatkeqësisht, nuk ishte vetëm kjo. Para se të ndodhte procesi i liberalizimit, kishim edhe rritjen e çmimit të energjisë 16.1 për qind, edhe këtu kemi pasoja, kemi rritjen e përqindjes së produkteve. Me të dhënat e fundit e shohim saktë se ka një rritje shumë të madhe, ka rritje të madhe të importeve, e fatkeqësia tjetër më e madhe ka një ulje të qarkullimit të bizneseve tona, e kjo pa dyshim do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Ahmeti.

Ai tha se mungesa e institucioneve për muaj të tërë ka vështirësuar të bërit biznes në Kosovë.

“Mungesa e gjatë e funksionimit të institucioneve ka vështirësuar të bërit biznes në Kosovë. Numër i madh i bizneseve, siç edhe e kemi paralajmëruar, kanë hequr dorë nga investimi në rritje të kapaciteteve që do të kishin ndikuar sot në rritjen e buxhetit të vendit, në rritjen e fuqisë ekonomike, në rritjen e punësimit, një krizë të madhe që e kemi në këtë sektor dhe fatkeqësisht një pjesë e tyre janë duke i bartur këto investimeve në vendet e rajonit dhe më gjerë. Më lejoni të them shqetësimin tim të madh, vetëm vitin e kaluar, vetëm në Shqipëri, bizneset e Kosovës kanë investuar 240 milionë euro, e të mos flasim për vendet tjera”, u shpreh ai.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në këtë takim tradicional të fundvitit ka ndarë mirënjohje par Halit Bajraliun nga kompania “Agi Dani” me rastin e pensionimit, për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve. /Sh.Pajaziti

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë